Për afro 4 orë, gjyqtarja e Posaçme Flojera Davidhi dëgjoi rezultatet e hetimeve të SPAK për dosjen Partizani, ku kërkon gjykimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerëve.
Prokurorët e Posaçëm parashtruan provat me të cilat pretendojnë se provojnë që ata janë përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash gjatë procedurave të privatizimit të ish-kompleksit sportiv.
Por për avokatin e Berishës, Genc Gjokutaj, SPAK nuk arriti të provonte asnjë fakt penal që rëndon ndaj të hetuarve. Seanca e radhës, do të mbahet në 6 Janar, ku Gjykata do të dëgjojë kundërshtimet e avokatëve për hetimet e kryera nga prokurorët e posaçëm.
Këta të fundit këtë të hënë dorëzuan në Gjykatën e Posaçme të Apelit ankim ndaj shuarjes së masës për ish-Kryeministrin Sali Berisha duke kërkuar rikthimin e tij në “arrest në shtëpi”. Ankimi u konsiderua nga Gjokutaj si i pabazë dhe thjesht procedurë.
Ish-Kryeminstri u lirua në 27 Nëntor me vendim të gjyqtares së seancës paraprake, pasi qëndroi për afro 1 vit në masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”.
Tv Klan