Në 8 muaj janë shqyrtuar thuajse 2 mijë dosje
Numri i dosjeve, që presin të shqyrtohen në Gjykatën e Lartë, vazhdon të jetë i lartë, edhe pse anëtarët e kësaj gjykatë kanë shqyrtuar deri më tani rreth 2 mijë dosje nga 35 mijë që qëndrojnë në pritje prej vitit 2016.
“Në 3 kolegje për periudhën 8-mujore ne kemi gjykuar 2,000 çështje. Nëse 3 gjyqtarë gjykojnë 2,000 çështje me këtë intensitet pune, me këtë metodologji të qartë, për 1 vit jam i bindur se 6 trupe gjykuese do të gjykojnë minimumi të paktën 12,000 çështje”.
Sipas Sadushit, një nga prioritetet kryesore është plotësimi i kësaj gjykate brenda 6 muajve të parë të 2021 me 15 anëtarë dhe më pas të hapet gara për gjyqtarët që do të plotësonin përfundimisht Gjykatën Kushtetuese.
“Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese është ndoshta ndër ato çështjet më të shumëpritura nga ana jonë. Me formatimin e Gjykatës së Lartë të nisim të mendojmë hapjen e garës. Besoj se mesi i vitit tjetër do ta bëjë të mundur një kuorum të Gjykatës së Lartë për të emëruar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”.
Trupa e Gjykatës së Lartë, e përbërë nga Sokol Sadushi, Ilir Panda dhe Ervin Pupe, përveç dosjeve të vjetra, ka shqyrtuar me përparësi edhe çështjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, që shumë shpejt pritet të japë një vendim.
Ai kërkon në Gjykatën e Lartë prishjen e vendimit të Apelit të Posaçëm, që ktheu dosjen e tij për rigjykim në shkallë të parë dhe pushimin e çështjes.
Tv Klan