Lajme Arkiva 2003

Gafurr Adili dhe Taip Mustafai të arrestuar në Shqipëri për nxitje të urrejtjes kombëtare dolën nga qelitë e burgut 313 procesi ndaj tyre përfundoi brenda dy seancash pasi kërkuan gjykim të shkurtuar, gjatë seancës ku gjyqtari Fehmi Petku vendosi të mos lërë kamerat por vetëm gazetat, pa dhënë ndonjë arsye, prokurori i çështjes kërkoi dënimin me nga 10 muaj dhe 15 ditë heqje lirie për secilin nga të pandehurit.

Neni i kodit penal për nxitjen e urrejtjes kombëtare dhe fetare parashikon si dënim maksimal 10 vjet heqje lirie. Gjatë pretencës përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar vetë nga gjykata që kjo e fundit të marrë parasysh faktin se Adili vuan nga një sëmundje si dhe arsimimin e tij.

Ndërkohë avokatët mbrojtës të dy të pandehurve kërkuan pushimin e këtij gjykimi, duke e vlerësuar kontributin e këtyre dy personave për çështjen kombëtare shqiptare si edhe faktin që republika jonë duhet të mbrojë njerëzit me kombësi shqiptare.

Avokati i Adilit, Maks Haxhia deklaroi se thirrjet e shfaqura në internet për aktet të armatosura ndaj maqedonasve apo serbëve nuk janë vepër e këtyre të pandehurve, por ndërhyrje në internet të qëllimshme nga qarqe serbo-maqedonase.

Gjykata e Tiranës vendosi ti dënojë të pandehurit me nga 7 muaj heqje lirie, dënim që ata e kanë përmbushur me kohën e paraburgimit. Gjatë këtij suksesi që përfundoi mjaft shpejt, u shmangën deklarimet e vet të pandehurve lidhur me ekzistencën e armatës kombëtare shqiptare.

Po ashtu ra në sy të paktën në seancën e fundit se organi i akuzës shqiptare i zbuti tonet ndaj Adilit dhe Mustafait, ndaj të cilëve procesi  Gjykatës së Tiranës mund të mos ankimohet nga asnjëra palë e kësaj çështjeje në shkallët më të larta të gjyqësorit./tvklan.al