Gjykata e Lezhës do të zhvillojë nesër seancën për rivlerësimin e masës së arrestit për kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj dhe 11 zyrtarëve të tjerë. Mësohet se mbështetës të kryebashkiakut janë duke protestuar para Komisariatit të Policisë së Lezhës dhe kërkojnë lirimin e Frrokajt.
Ndërkohë në kërkim janë shpallur edhe 11 persona të tjerë, mes tyre zyrtarë në ish-komunën Shëngjin apo përfitues tokash në mënyrë të paligjshme.
Të gjithë dyshohet se përgjatë periudhës 2016-2017 në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.
Kjo sipërfaqe është shndërruar me dokumenta të falsifikuara nga tokë shtetërore në bregdet, në tokë arë dhe pemtore. Më pas është regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Lezhë (ZRPP), duke përfituar padrejtësisht në interes të tyre dhe personave të tjerë. Hetimet lidhur me këtë dosje kanë filluar mbi bazën e të dhënave të siguruara nga burime policore dhe ankesa të qytetarëve./abcnews.al