Një makinë e djegur, e cila dyshohet të jetë ajo e përdorur në grabitjen e postës së qytetit të Lezhës, ditën e enjte, është gjendur e djegur në thellësi të një mali pranë fshatit Tersh të këtij rrethi.
Pas verifikimeve të automjetit policia e Lezhës ka arritur të identifikojë autorin e saj, i cili është njëri prej dy të ndaluarve si të dyshuarit në grabitje, por strukturat e policisë së Lezhës ende nuk janë në gjendje të saktësojnë nëse është automjeti i përdorur për grabitjen e 5 milionë lekëve të reja të punonjësve të postës.
Edhe pse më parë nga policia ishte deklaruar se automjeti ku udhëtonin tre grabitësit ishte nisur për nga superstrada, të tjera konkluzione dhe dyshime kanë dalë pasditen e së enjtes dhe gjatë hetimeve të mëvonshme.
Burime konfidenciale kanë bërë të ditur se grabitësit janë larguar me mjetin e tyre rrugës së vjetër nacionale që lidh Lezhën me Laçin, dhe kjo ka bërë që hetuesit të dyshojnë se automjeti i gjetur të jetë ai i përdorur gjatë grabitjes.
Por hetimet mbeten ende te paqarta, pasi policia nuk ka mundur ende të hedhë dritë mbi të vërtetën e fakteve.
Edhe pse ka ndalur dy persona të dyshuar, njëri prej të cilëve është dhe pronari i makinës së shkrumbuar, blutë e Lezhës nuk kanë bërë të ditur identitetin e tyre.
Kjo ka shkaktuar konfuzion në radhët e qytetarëve të Lezhës, të cilët edhe pse në një qytet të vogël, ende nuk ndihen të sigurt.
Mënyra sesi u arrit të grabiten 5 milion lekë të reja në mes të qytetit dhe në mes të ditës ka dhënë një impakt negativ për sigurinë e qytetarëve në veprimet e tyre, por edhe në kredibilitetin ndaj forcave të blusë të Lezhës./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani