Hamasi iu përgjigj pozitivisht planit izraelit për një armëpushim në Gaza të bërë publik një ditë më parë nga presidenti amerikan Xho Bajden.
Në një deklaratë të lëshuar nga grupi militant thuhet se e mori propozimin me ndërmjetësimin e Katarit dhe se ishte i gatshëm të angazhohej në një armëpushim të përhershëm që do të çonte në tërheqjen e forcave izraelite, rindërtimin e Gazës, kthimin e të zhvendosurve dhe një marrëveshje “të vërtetë” të shkëmbimit të të burgosurve.
Por në krahun tjetër, Tel Avivi, edhe pse pranoi se kishte autorizuar ekipin e tij negociues për të paraqitur marrëveshjen këmbënguli se lufta nuk do të përfundojë derisa të arrihen të gjitha qëllimet e saj, duke përfshirë kthimin e të gjithë pengjeve tona dhe shkatërrimin e Hamasit.
Në terren, Izraeli vijon ofensivën ndaj Rafahut të cilin e konsideron si bastioni i fundit i Hamasit. Të premten, Presidenti Biden prezantoi atë që e përshkroi si një plan me 3 faza që do të hynte në fuqi brenda 6 javësh. Biden i bëri thirrje udhëheqjes izraelite që t’i rezistojë presionit nga ata që kërkojnë që lufta të vazhdojë “pafundësisht” duke iu lutur të mos e humbnin mundësinë për një armëpushim.
Tv Klan