Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste i janë bashkuar të tjerë deputetë socialistë në vendimin për të thyer bojkotin parlamentar të Edi Ramës.

Andis Harasani shprehet se grupim do të hyjë së shpejti në parlament, për të marrë pjesë në diskutimet dhe votimin e ligjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit.

Andis Harasani: “ Do vazhdojmë deri në një kufi logjik të respektojmë vendimet e Asamblesë. Kufiri logjik është në momentin kur do të duhet vota jonë në parlament që të shkojmë sot të kalojmë nga 75 në 76, nga 76, 77 vota nuk ka asnjë ndryshim, nuk besoj se është kufiri logjik. Në momentin që duhet për një votim të rëndësishëm siç është heqja e vizave ose diçka e tillë, sigurisht që ne do shkojmë ose në momentin kur digjet mandati.”

Gazetarja: “Këto ligje të rëndësishme që ju thoni, janë ligje që kalojnë me 84 vota, ju aktualisht jeni vetëm 5 deputetë?”

Andis Harasani: “Nuk do doja, përsëri është një mësim shumë i mirë që vjen nga kryetari i radhës i Partisë Socialiste, numrat jo gjithmonë të japin të drejtë dhe numrat janë ato që duken. Unë nuk do të habitesha që në momentin që duhet 84 vota të ishim më shumë se 84 vota në parlament. Jemi duke takuar jo vetëm ish deputet, por dhe deputet aktual të Partisë Socialiste të cilët ndajnë të njëjtin opinion me ne. Jemi duke takuar njerëz të ndryshëm, të cilët janë duke na përkrahur në lëvizjen tonë.”

Hyrja në kuvend është vetëm çështje afatesh. Harasani thotë se i ka kërkuar zyrtarisht informacion kryetares se kuvendit për kohen se kur mund të digjet mandati i deputetit në rastet e bojkotit.

Andis Harasani: “Ka shuam interpretime, pasi në Shqipëri është vështirë të gjesh teknikë, po jurist ka pafund. Ndaj dhe un i kam kërkuar kryetares së kuvendit që të shprehet zyrtarisht se kur digjet mandati i deputetit dhe në atë kufi logjik mendoj që nuk do jem i vetëm që nuk do hyj në kuvend.”

Gjithashtu Harasani tregon se Lëvizja për Mendimin Ndryshe po vijon takimet me anëtarësinë socialiste në mbarë vendin dhe se kjo lëvizje gëzon mbështetjen e një pjese të madhe të anëtarësisë. /tvklan.al