Ajo ka qënë ndër të parët persona që ka dhënë këshilla për kujdesin e lëkurës në televizion. Këtë pasion, farmacistja dhe estetistja Elda Tomçini vazhdon ta zhvillojë edhe sot.
Ajo ishte sot e ftuar në studion e “Rudina”, në Tv Klan, ku përveç profesionit foli edhe për familjen. Tomçini tregoi detaje nga ceremonia e martesës së saj teksa mes të qeshurash tha se nga emocionet e ditës së dasmës, kishte thënë se e pranonte për grua bashkëshortin.
“Unë jam martuar në vitin 2002, por vajza ka lindur në vitin 1998. Vajza ka qenë 4 vjeç kur ne jemi martuar dhe na ka mbajtur unazat. Ka qenë vërtet shans dhe vajza ime ka vërtetë kujtime shumë të bukura, sepse ne martesën e kemi bërë në kishë. Ëndrra e çdo vajze është të veshë fustanin e bardhë dhe ëndrra ime ka qenë që të kurorëzoja martesën në kishë. Vendosëm ta bënim tek kisha katolike. Mua më dukej sikur vetëm martesa në kishë do të ishte e realizuar dhe që unë do ta përjetoja. E kam përjetuar me shumë emocione. Unë bashkë me bashkëshortin dhe vajzën jemi pagëzuar. Mbaj mend që nga emocionet, kur më ka pyetur prifti nëse e pranoja Bashkimin për burrë, përgjigja ime ka qenë: Po, pranoj ta marr për grua.
Kam qenë vërtetë shumë e emocionuar dhe nuk e kam kuptuar as vetë se çfarë kam thënë. Këtë gjë ma kanë thënë ata që kanë qenë të ftuar dhe unë nuk e besoja”
, tha Tomçini.
/tvklan.al