Ilir Meta: Jo instrumentalizimit të PS nga krimi i organizuar
Gazetarja: Z. Ministër, ju zhvilluat një vizitë disaditore në Kosovë në një moment të rëndësishëm të administrimit të të parave zgjedhjeve pas shpalljes së pavarësisë. Çfarë konstatuat në terren? A është Kosova gati të ecë përpara dhe më shpejt në marrëdhëniet e saj me BE?
Ilir Meta: “Besoj se edhe Kosova do të përfshihet në të gjitha këto procese. Është një angazhim i BE që në këtë dinamik të re për Ballkanin Perëndimor, të përfshijë edhe Kosovën. Dua të përshëndes edhe rezolutën e djeshme të Parlamentit Evropian, e cila kërkon që sa më shpejt të nisi dialogu për liberalizimin e vizave me Kosovën, përmes një udhërrëfyesi të ngjashëm me atë të vendeve tona dhe njëkohësisht edhe inkurajohem për forcën e marrëdhënieve të mëtejshme te Kosovës me BE. Unë jam i bindur se Kosova do të ecë në këtë drejtim sepse ajo ka bërë hapa të rëndësishëm para në procesin e decentralizimit, sipas planit të Ahtisarit. Tashmë janë krijuar disa komuna dhe janë këto rezultate të cilat sollën një përmirësim të ndjeshëm të pjesëmarrjes së qytetarëve serb të Kosovës në zgjedhjet e fundit dhe natyrisht qeveria dhe gjithë autoritetet e Kosovës dhe gjithë forcat politike janë të vendosura që të ecin më tej në rrugën afrimit të Kosovës si një vend Evropian, si një vend që i ka një kushtetutë të standardeve europiane dhe që është i vendosur për të implementuar këto standarde, në të gjitha aspektet e jetës institucionale, ekonomike, sociale dhe sidomos të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve”.
Gazetarja: Përsa i takon situatës politike në Shqipëri, janë ditët e fundit të ultimatumit të vendosur nga opozita, çfarë prisni të ndodh pas kësaj?
Ilir Meta: “Problemi është se lidershipi i opozitës nuk është i qartë se çfarë zgjidhje do t’i japi kësaj situate, se këtu nuk shtrohet çështje për qeverinë. Qeveria ka qenë tërësisht e qartë dhe konstruktive për të rivendosur dialogun më opozitën të ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga lidershipi i kësaj të fundit. Ne nuk pengojmë askënd që të vendosë ultimatume, por ashtu sikurse kaloi ultimatumi i 20 nëntorit do kalojë dhe ultimatum i fillimit të dhjetorit, dhe do të kalojnë dhe ultimatume të tjera, në rast se do të vazhdojmë me logjikën e vjetër dhe primitive të ultimatumeve. Demokracia është dialog, dialogu zhvillohet në institucione. Mua më vjen keq për këtë kurs tërësisht destruktiv që po ndjek kreu i PS-së z.Rama. Duket sikur ai dëshiron me patjetër të realizojë një kërkesë të tij të hershme që në vitin 91, të shkruar dhe në librin refleksionet, për të nxjerrë jashtë ligjit Partinë Socialiste, sepse po e nxjerr nga parlamenti kur ajo është vlerësuar në një masë shumë të konsiderueshme nga elektorati dhe nga votuesit dhe kërkon ta nxjerrë nga të gjitha institucionet, ta nxjerrë nga sistemi, duke u futur vetë në konflikt mendoj me traditën pozitive përgjithësisht të socialistëve, të cilët kanë qenë konstruktiv dhe pjesëmarrës në institucione”.
Gazetarja: A mendoni se ka nevojë për një ndërmjetësim ndërkombëtar? Duket sikur ka tentativa të vazhdueshme, ju kujtoj edhe rezolutën e miratuar një ditë më parë nga parlamenti Evropian.
Ilir Meta: “Nuk është faji i qeverisë që opozita është marrë peng. Ne jemi të bindur që nuk është ky vullneti i anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste, për të ndjekur një politikë rruge, një politikë dhune dhe një politikë anti-evropiane dhe një politikë edhe antikombëtare, e cila vjen një kundërshtim më interes të vendit në këtë moment shumë të rëndësishëm, ku gjithë energjitë duhen përqendruar në institucione, për të përmirësuar funksionimin e tyre, për të gjallëruar debatin dhe për t’i përqendruar të gjitha energjitë dhe aftësitë si mazhoranca ashtu dhe opozita, tek çështjet që kanë të bëjnë me këtë proces të anëtarësimit në BE dhe absolutisht qeveria vazhdon dhe funksionon në një mënyrë do të thoja shumë të vendosur dhe efektive”.
Gazetarja: Pra në këtë logjikë thoni se nuk ka krizë politike ashtu sikurse pretendon dhe Partia Socialiste?
Ilir Meta: “Partia Socialiste është në krizë sepse nuk di se çfarë bën, sepse kërkon me ca ultimatume qesharake, të dijë sa sharlatanëve që populli shqiptar i ka lënë jashtë parlamentit dhe që të bojkotojnë një gjë ku ata nuk janë zgjedhur për të qenë pjesëmarrës, sepse ju e dini që shumica e deputetëve që janë zgjedhur dëshirojnë që të ushtrojnë këtë përgjegjësi në parlament, pra kjo është një krizë. Asnjë diskutim kriza e tyre nuk do te kthehet në një krizë të vendit. Ata kanë dy rrugë, ose të heqin dorë nga destruktiviteti i tyre, të respektojnë kushtetutën, të respektojnë shtetin ligjor, ose pastaj çështja e tyre është një çështje për të cilat ata i kanë marrë vetë përgjegjësitë. Mendoj se çdo gjë është bërë e qartë. Opozita do të jetë gjithmonë e respektuar në çdo drejtim, për çdo vendim të saj. Kryeministri e ka bërë të qartë, dëshirojnë të bëjnë protesta, absolutisht do t’ju krijohen të gjitha kushtet për të bërë protesta, sa herë të duaj dhe kur të duan. Shqipëria është një vend demokratik, por absolutisht që nuk do të ketë tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe përpjekjeve të tij për të instrumentalizuar opozitën dhe për të përdorur alibi të ndryshme për të destabilizuar të gjithë sistemin kushtetues institucional dhe ligjor të vendit absolutisht”./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi