Sevim Arbana e ftuar në programin “Rudina”

E ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan ka qenë Sevim Arbana, aktiviste e shoqërisë civile. Ajo ka qenë këto ditë pranë banorëve që u është dëmtuar shtëpia dhe tek ata që kanë humbur të afërmit nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Sevim Arbana ka qenë në fshatrat e Vorës po ashtu dhe të Durrësit. Ajo iu ka qëndruar pranë së bashku me ekipin e saj, nënave, grave shtatzëna dhe fëmijëve duke iu ofruar ndihmë materiale, por edhe mbështetje psikologjike.

Sipas saj, situata që ka përfshirë vendin tonë është e vështirë dhe ka mungesë organizimi për shkak të furisë së informacionit dhe fluksit të mbështetjes nga të gjitha anët.

Në fakt është një gjë që po na ndodh ne, si organizata me eksperienca në këto që ne i quajmë fatkeqësi. Kanë qenë ngjarje që ne i kemi përballuar shumë mirë, shumë të organizuar, shumë të programuar. Do të theksoja këtu ’97, luftën e Kosovës dhe gjëra të tjera. Tani ne po na duket të gjithëve, jo vetëm mua, na duket sikur po sillemi në një lëmsh, jemi lëmsh emocionalisht, jemi lëmsh në atë që duam të bëjmë dhe çfarë duhet bërë. Ende nuk po organizohemi sepse është furia e informacionit, është furia e solidaritetit nga të gjithë. Se vite më parë ne merrnim ndihma dhe i çonim, sot është e pamundur kjo gjë në kuptimin, që ka kaq shumë flukse të këtyre ndihmave dhe flukse të mbështetjes në të gjitha anët. Por, tani ajo që na ngeli ne është çfarë do bëjmë tani? Vërtet jemi në një kaos për të programuar gjërat që janë më emergjente. Po ndodh dhe një fenomen tjetër i rrezikshëm: Të gjithë për një gjë”. /tvklan.al