Jennifer Lopez dhe Ben Affleck po divorcohen pas dy vitesh martesë. Kërkesa për divorc është paraqitur nga këngëtarja dhe aktorja Lopez, e cila e ka dorëzuar këtë kërkesë në Gjykatën e Lartë të Los Angeles, raporton BBC.
Yjet hollivudianë u martuan me bujë në Korrik të vitit 2022 pas ribashkimit të tyre 20 vite më vonë. Fillimisht ishin njohur në xhirimet e filmit “Gigli” në vitin 2003. Romanca e tyre zgjati rreth 1 vit, deri në fillim të 2004-s.
Mediat e huaja raportojnë se në kërkesën për divorc, Lopez nuk ka renditur asnjë detaj të një marrëveshje paramartesore.
Në dokumentin e paraqitur në Gjykatën e Lartë thuhet se palët duhet të ndajnë informacionin financiar, të ardhurat aktuale personale, shpenzimet, pronat dhe borxhet.
Gjykata i ka dhënë Jennifer Lopezit 60 ditë kohë që të paraqesë pasqyrën e saj financiare. Edhe Affleck do të ketë 60 ditë të tjera për të paraqitur të njëjtin dokument pas Jennifer Lopez.
Ben Affleck, dy herë fitues i çmimit Oscar, ka qenë i martuar më parë me aktoren Jennifer Garner, me të cilën ka 3 fëmijë. Ata u divorcuan në vitin 2015 pas një dekade martesë. Megjithatë, Affleck dhe Garner vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira mes tyre dhe takohen vazhdimisht për shkak të fëmijëve.
Ndërsa Jennifer Lopez është martuar 4 herë. Martesa e parë ka qenë me një kamarier kubanez Ojani Noa në vitin 1997 dhe zgjati 1 vit. Në 2001-2003 u martua me Cris Judd. Në periudhën 2004-2014 u martua me këngëtarin e njohur Marc Anthony me të cilin ka binjakë. Pas divorcit me këtë të fundit, Lopez ishte fejuar për një periudhë të shkurtër me Alex Rodriguez.
/tvklan.al