Komisioni Europian ka përcaktuar kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për të arritur një marrëveshje për liberalizmin e vizave. Lidhur me dokumentat e udhëtimit kërkohet qartë prodhimi dhe pajisja e qetarëve shqiptare me pasaporta biometrike, garantimi i integritetit dhe sigurisë së procesit të shpërndarjes së tyre, programe trajnimi për zyrtarët dhe autoritet që do të merren me to, si dhe raportimin në Interpol të pasaportave të humbura apo të vjedhura.
Përsa i përket çështjes së Administrimit të kufijve Komisioni kërkon përshtatjen dhe zbatimin e legjislacionit që rregullon lëvizjen e personave të kufijtë e jashtëm, masa buxhetore dhe administrative për sigurimin e një infrastrukturë efikase, pajisje dhe teknologji si dhe programe trajnimi me policinë kufitare, doganierët dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë.
Në dokument theksohet se Shqipëria duhet të zbatojë strategjinë e luftës kundër krimit të organizuar me një plan veprimi me afate të përcaktuara kohore dhe mbështetjen e burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare. E njëjta gjë kërkohet edhe për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore apo kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe konfiskimit të pasurive të kriminelëve apo dhe zbatimin e strategjisë kombëtare kundër trafikut të drogës. Në mbyllje të procesit do të jetë Komisioni europian që do të paraqesë propozimin e tij para këshillit të ministrave, i cili do të kërkojë një votim me shumicë të kualifikuar të vendeve anëtare./tvklan.alGazetare: Urita Dokle