Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Këshilli Kombëtar i Rrugëve miratoi variantin rrugor për aksin Durrës-Kukës-Morinë. Nën drejtimin e kryeministrit u miratua varianti i tretë që parashikon ngritjen e një aksi krejtësisht të ri rrugor përgjatë luginës së lumit Fan. Ky aks rrugor, u konsiderua nga ekspertët si më i përshtatshmi, sepse ka distancë më të shkurtër, mundësi më të mira për t’u mirëmbajtur gjatë dimrit si dhe favorizon shpejtësi më të lartë për automjetet.

Kryeministri Fatos Nano:- “Thuajse brenda këtij viti mund të fillojë puna, për të ndërtuar segmentin e parë të saj Milot-Rrëshen, me forcat e qeverisë shqiptare të xhenios, duke nisur një proces që meriton të mbështetet nga të gjithë ne”.

Spartak Poçi:- “Jemi të mendimit që gjerësia e rrugës të jetë mbi 14.5 metra, madje për ne varianti më optimal do të ishte 20 metra. Të jetë një rrugë e cila ndoshta ne nuk do ta ndërtojmë me këtë gjerësi që në fillim”.

Kostoja e këtij projekti, arrin vlerën e 300 milion dollarëve, financime që ende nuk janë siguruar nga qeveria shqiptare dhe donatorët. Deri tani është konfirmuar financimi i 32 milion dollarëve nga Banka Botërore dhe afro 30 milion dollarëve të mbledhura nga taksa Majko./tvklan.al