Lideri i ASH-së, pas përfundimit të Kryesisë Qëndrore të kësaj partie, përmes mediave u ka bërë thirrje dy partive shqiptare që t`i bashkohen nismës për koalicionin parazgjedhor të opozitës shqiptare. Ziadin Sela kërkoi nga drejtuesit e dy partive që të prononcohen brenda 48 orëve.
Lëvizja Besa e quan jo serioze dhe ultimatum kërkesën e ASH-së për koalicionin tripalësh për të cilën, siç thonë, u njoftuan përmes mediave. Nga Lëvizja Besa nuk kanë dilema, janë pro një koalicioni të tillë.
“Ne edhe sot ashtu si edhe para një muaj e themi publikisht PO, jemi për një bashkëpunim trepalësh dhe jemi të gatshëm të ulemi të tre partitë të bisedojmë të gjitha detajet e bashkëpunimit përfshirë këtu edhe ndarjen e listave”, shprehet Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa.
Nismën dhe thirrjen e ASH-së për arritjen e koalicionit parazgjedhor e ka komentuar edhe lideri i PDSH-së Menduh Thaci. Ai drejtoi akuza ndaj krerëve të opozitës shqiptare se në këtë mënyrë përpiqen të bëhen deputetë. Sipas tij, beteja do të zhvillohet mes partisë së tij dhe BDI-së.
“Shqiptarët e presin betejën e fuqishme mes Thaçit dhe Ahmetit dhe gjithë të tjerat janë të parëndësishme. Jemi të përgatitur ta bëjmë këtë betejë të jashtëzakonshme dhe ne do ta mundim BDI-në”.
Deri tani, Aleanca për Shqiptarët ka zhvilluar negociata të ndara me Besën dhe Alternativën, ndërsa mes Bilal Kasamit dhe Afrim Gashit nuk ka pasur negociata dhe as komunikim jo zyrtar.
Tv Klan