Kombëtarja nisi zyrtarisht përgatitjet për Euro 2024. Kuqezinjtë ndodhen në Austri ku do të qëndrojnë deri më 8 Qershor. Grupit të lojtarëve i mungon vetëm kapiteni Berat Gjimshiti, i cili do t’i bashkohet pas ndeshjes të së dielës që Atalanta do të zhvillojë me Fiorentina, një përballje e prapambetur e Serie A.
Skuadra është stërvitur me ngarkesë të plotë. Prova e parë për futbollistët do të jetë miqësorja e së hënës me Lihtenshtejnin që do të zhvillohet prej orës 20:00 në stadiumin Haladas në Hungari dhe do të transmetohet në TV Klan ashtu si edhe të gjitha ndeshjet e Euro 2024.
Trajneri Sylvinho pritet të shikojë gjendjen e futbollistëve, të cilët sapo kanë mbyllur sezonin me ekipet e tyre. Të premten në orën 19:00 po në Hungari do të luhet me Azerbajxhanin.
Pas kësaj sfide, Kombëtarja do të vendoset në Gjermani. Shqipëria do ta nisë Europianin më 15 Qershor ndaj Italisë në Dortmund, ku pritet një mbështetje e madhe e tifozerisë shqiptare.
Tv Klan