Trajneri Andrea Tedesco, debutoi me fitore, në stolin e Shqipërisë U-17. Kuqezinjtë, triumfuan në miqësore ndaj Luksemburgut, me rezultatin 3-1.
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e Vorës, nuk kishte shumë histori. Goli i parë erdhi në minutën e 28-të. Pas një harkimi nga këndorja, kapiteni Kris Gecaj zhbllokoi rezultatin, pas një goditje të saktë me kokë.
Minutat në vazhdim folën sërish për kuqezinjtë, teksa pa u mbyllur pjesa e parë sulmuesi Gabriel Kulla realizoi golin e dytë.
Skuadra e Luksemburgut shkurtoi rezultatin në minutën e 63-të. Megjithatë Shqipëria U-17 nuk e uli ritmin dhe në minutën e 83-të u vulos fitorja. Gabriel Kulla shënoi golin e tretë me një 11-metërsh dhe të dytin personal në këtë takim.
Ndeshja e dytë miqësore Shqipëri U17 – Luksemburg U17, do të zhvillohet të premten më 6 shtator në “Shtëpinë e Futbollit”, në orën 10:00. /tvklan.al