Lajme Arkiva 2003

Edi Rama dëshmitari i kërkuar nga të dyja palët e komisionit hetimor do të dëgjohet të argumentojë apo të hedhë poshtë akuzat e ngritura në orën 16:00 pasdite, në seancën e paradites kryebashkiaku Rama është paraqitur në sallën e kuvendit me kërkesë për të dëshmuar në një orë më të përshtatshme.

Kryekomisioneri Olldashi ka rënë dakord me kërkesën për ti lënë kohë bashkiakut Rama, por në seancën e pasdites ai ka kërkuar të vijë i vetëm pa drejtues të bashkisë, kjo është hedhur poshtë nga komisionerët socialistë, ka patur replika mes të dyja palëve.

Edi Rama: Ajo çfarë unë kisha për të thënë është kjo, unë nuk bëj asnjë betim në këtë moment pa vendosur ju fillimisht se çdo të bëni me këtë seancë të filluar në mënyrë groteske. Pra në këtë seancë që e keni sajuar që unë të mos vija përderisa shkresën ma keni çuar 10 minuta përpara se të fillonte seanca dhe që e filluart 20 minuta me vonesë në kurriz të detyrës sime. Se ndryshimi mes meje dhe jush  i nderuar zotëri është se ju jeni i papunë kurse unë kam shumë punë.

Sokol Olldashi: Unë erdha 20 minuta me vonesë nuk janë shumë për ju zoti Rama se ju kam pritur edhe unë te dera e bashkisë më shumë se 20 minuta. Po ju them se ne kemi ndryshim të madh vërtet mes njëri-tjetrit. Ndryshimi nuk është në faktin se unë kam pak unë dhe ju keni shumë punë, por qëndron në faktin se ju keni probleme me paratë e qytetarëve të Tiranës kurse unë i kam duart në xhepat e mi.

Edi Rama: Nuk është se unë kam nevojë për kohë për t’u përgatitur, por unë mendoj se duhet pak kohë për të mos e filluar këtë seancë kaq të mirëpritur nga publiku në një mënyrë kaq qesharake siç e filluat ju duke ardhur me 20 minuta vonesë me cigaren tuaj në gojë, në kundërshtim me ligjin që ndalon thithjen e duhanit në salla të mbyllura.

Sokol Olldashi: Zoti Rama po ja fusni prapë kot. Nuk ka një ligj në Shqipëri që e ndalon pirjen e duhanit në ambiente publike.

Edi Rama: Për njohjen që keni ju nga ligji jeni gati ta bëni me tym Taraboshi të gjithë Shqipërinë.

Sokol Olldashi: O zoti Rama ne e bëjmë me tym Taraboshi, kurse ti u ke vënë flakën parave të qytetarëve zotëri, kushti që rri se je më keq në atë pikë. Ta siguroj se pas disa muajsh do të ta mësosh duhanin se do të shkosh në një vend ku do të jesh gjithë ditën vetëm dhe do të duhet duhani.

Edi Rama: Ja kushtetueshmëria dhe ligji që ju e keni kaq për zemër! Kërcënim me burg në sallën e Kuvendit të Shqipërisë! Ja kush jeni ju dhe partia juaj.

Sokol Olldashi: Nuk ta përmenda fjalën burg, se të shkon mendja atje është problemi jot o zotëri, jo i imi.

Edi Rama: Unë do të pres thirrjen zyrtare, të jeni të sigurt që unë do të vij  se bashku me njerëzit që ju keni akuzuar .

Sokol Olldashi: Ti do të vish me kë të thërrasim ne zotëri, nuk do të vish me këtë të duash ti se nuk je në dasmë. Me banda do të vish kur të thërras unë ./tvklan.al