Presidenti i zgjedhur Donald J. Trump foli për herë të parë me gazetarët dhe iu përgjigj pyetjeve për rreth një orë të hënën, ku bëri komente për një sërë çështjesh, nga siguria kufitare, lufta në Ukrainë, Siria, tarifat tregtare apo dronët e shfaqur së fundi në bregun lindor të ShBA-së.

Për Ukrainën, Trump tha se do të bisedojë me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy për t’i dhënë fund luftës, ndërsa u shpreh i shqetësuar nga pamjet e masakrave.

“Lufta, duhet të ndalet,” tha Trump pa dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë kur u pyet nëse Ukraina duhet t’i dorëzojë një pjesë të territorit të Rusisë. Ai shtoi se pjesa më e madhe e territorit ku luftohet është kthyer në rrënoja dhe do të duhet një shekull për ta rindërtuar.

Për rënien e regjimit të Bashar al Assadit në Siri, komentet e presidentit të zgjedhur lanë të kuptohet se kishte folur paraprakisht me Izraelin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dy vende jo fort të kënaqura me rolin e Turqisë. Trump u tha gazetarëve se Turqia mban çelësat e asaj që ndodh në Siri.

“Tani për tani, Siria ka shumë të panjohura. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë aty.”

Turqia, një anëtare e NATO-s, mbështeti rebelët për të rrëzuar nga pushteti diktatorin sirian Bashar al Assad duke i dhënë fund luftës civile 13-vjeçare.

Trump përsëriti kërcënimin ndaj Hamasit dhe i kërkoi të lirojë pengjet para se ai të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, në të kundërt grupi militant do të përjetojë ferrin. Presidenti i zgjedhur tha gjithashtu se ka pasur një “bisedë shumë të mirë” me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, rreth luftës në Gaza.

Temë tjetër e konferencës përfshiu mbylljen e aplikacionit TikTok, për të cilin Trump tha se do ta shqyrtojë, por nënvizoi se në zemrën e tij ka “një vend të ngrohtë për TikTok-un.”

Për tarifat tregtare Trump mbrojti planet e lajmëruara më herët dhe shtoi se “tarifat do ta bëjnë vendin më të pasur.”

Prej disa javësh në Bregun Lindor të ShBA-së janë shfaqur dronë, por deri më sot nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se kush i kontrollon dhe përse shfaqen. Për këtë Trump tha se është detyrë e ushtrisë amerikane dhe presidentit për t’i treguar publikut “se çfarë po ndodh”, por nuk dha më shumë detaje.

Klan News