Numri i fëmijëve të prekur nga sëmundja e autizmit në Shqipëri ka pësuar rritje gjatë 10 viteve të fundit. Në 160 fëmije, 1 është i prekur prej saj, më së shumti ata të moshës 3-vjeç, ku dhe nisin të shfaqen simptomat e para. Për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të kësaj kategorie, Fondacioni i Fëmijëve Shqiptare ka projektuar hapjen e një qendre të posaçme.

Liri Berisha: “Fondacioni ka sfidën më të madhe të këtij viti, ngritjen e një qendre për trajtimin e këtyre fëmijëve me autizëm. 2 prilli është dita ndërkombëtare e autizmit, është një ditë ku të gjithë mund të bëjmë një apel të pyesim, të dëgjojmë, të dimë se çfarë është autizmi, sa të rrezikuar jemi prej tij. Është shumë  e rëndësishme ndërgjegjësimi i shoqërisë tonë për këtë fenomen që po ecën me hapa galaband”.

Edhe Ministria e Shëndetësisë e radhit si prioritet ndihmën ndaj fëmijëve të prekur nga autizmi.

Anila Godo: “Është një çrregullim ku fëmija nuk është në gjendje të krijojë asnjë lidhje emocionale me njerëzit e tjerë, ka dëmtime të shprehura të aftësive komunikuese dhe manifeston përgjigje bizare ndaj aspekteve të ndryshme të ambientit. Ministria e Shëndetësisë, është e bindur se hartimi i politikave të reja në organizimin dhe planifikimin e shërbimeve të shëndetit mendor, përmirësimit të cilësisë të shërbimit, pasurimit të trajtimit ndaj sëmundjeve mendore në përgjithësi dhe autizmit në veçanti janë mëse të domosdoshme”.

Deklaratat e zonjës Berisha dhe ministres Godo u bënë gjatë një konference të zhvilluar në mjediset e QSUT në prag të ditës ndërkombëtare kundër autizmit, që daton me 2 prill./tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi