Përfaqësuesit e shumicës dhe ata të opozitës u ulën për herë të parë përballë njëri-tjetrit në mbledhjen e konstituimit të mekanizimit të ngritur për të amenduar Kodin Zgjedhor, por dhe ligje të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati më pak se 60 minuta. Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi që më parë kanë bashkëdrejtuar shumë komisione bipartizane të Reformës Zgjedhore, edhe në këtë grup pune do të kenë rolin e dy drejtuesve të këtij mekanizimi në varësi të Komisionit të Ligjeve.

Pas takimit të parë, ata pranojnë se ky është një hap i parë pozitiv për të vijuar me diskutimet thelbësore për ndryshimet e ligjit zgjedhor ku mund të marrin pjesë dhe përfaqësues të grupimeve të tjera parlamentare.

Damian Gjiknuri: Edhe grupi i Lulzim Bashës ka të gjithë të drejtën të marrë pjesë në këtë grup pune sa herë që e gjykon të arsyeshme.

Oerd Bylykbashi: Nëse do të ketë vullnet nga mazhoranca, sigurisht angazhimi ynë është i plotë.

Të dy, edhe pse thonë se nuk është folur për asnjë çështje konkrete në mbledhjen e parë, pranojnë se mes shumicës dhe grupimit që përfaqëson Bylykbashi ka një dakordësi për të bashkuar votat në seancën për amnistinë penale. Për këtë çështje, komunikimi duket se po kryhet nga dy kryetarët e grupeve parlamentare.

Damian Gjiknuri: E rëndësishme është që amnistia të marrë votat e nevojshme dhe aty ka një dialog mes grupeve parlamentare.

Oerd Bylykbashi: Opozita ka mbështetur gjithmonë amnistinë, sigurisht që duhet të shohim cilat janë zgjidhjet konkrete.

Grupi i punës për ligjet me shumicë të cilësuar u ngrit si pjesë e dakordësisë mes shumicës dhe opozitës. Një vend në këtë strukturë ju la dhe Lulzim Bashës, por ai e refuzoi pasi grupimi i tij kërkoi që amendimet në kodin elektoral të përmbylleshin nga komisioni bipartizan që i përfundoi mandati në 21 Mars pa arritur të dalë me një produkt konkret për Reformën Zgjedhore.

Tv Klan