Në qytetin e Korçës, ku 122 vjet më parë u hapur shkolla e parë shqipe, është zhvilluar ceremonia zyrtare e organizuar nga Bashkia e Korçës. Në ndërtesën ku është hapur e para shkollë në gjuhën shqipe, që njëkohësisht është edhe Muzeu Kombëtar i Arsimit, u mbajtën kumtesa që evidentuan rëndësinë historike të kësaj ngjarje që do të njihej në histori si dita e arsimit. Ndryshe nga vitet e tjetra, shoqata Kombëtare e koleksionistëve hapi në ambientet e Mësonjëtores një ekspozitë të rrallë me libra dhe dokumenta që janë përdorur në vitet kur u hap shkolla e parë shqipe.
Materialet e ekspozuara, janë kryesisht libra të botuara me kontributin e klubeve patriotike shqiptare të Bukureshtit, Sofjes, Kajros, Bostonit etj. Hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë, ishte kurorëzim i përpjekjeve disa vjeçare të patriotëve shqiptarë, në kushtet kur në vend shkollat ishin në gjuhën greke dhe turke. Hapja e Mësonjëtores në Korçë u shoqërua edhe me hapjen e shkollave të tjera në gjuhën shqipe në Pogradec, Leskovik, Ersekë dhe Ohër. Shtëpia ku u vendos të hapej Mësonjëtorja, u bë dhuratë nga patrioti korçar Diamanti Tërpo, i cili në ato vite shkruante nga Bukureshti “të falet shtëpia ime dhe të kthehet në shkollë”. Muzeun e Arsimit Kombëtar e vizitoi edhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama./tvklan.al