Trupat spanjollë të KFOR-it kanë ndaluar të hënën katër ushtarakë të lartë të UCK-së të cilët janë mbajtur dhe pyetur për 24 orë nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Më pas është vërtetuar se çdo gjë ishte në rregull ndërkohë që të arrestuarit kanë treguar se gjatë qëndrimit në burtgu e Pejës, ata kanë parë e dëgjuar se si shqiptarët keqtrajtoheshin nga forcat italiane të KFOR-it të cilët janë të dislokuara në këtë zonë.

Në qytetin e Mitrovicës situata vazhdon të jetë e tensionuar pas ngjarjeve të ndodhur ditëve të fundit. Kanë qënë rreth 400 paramilitarë serbë të cilët kanë sulmuar shtëpitë e shqiptarëve ku si pasojë e kësaj përleshje mbetën të plagosur 15 shqiptarë por dyshohet dhe për të vrarë.

Duke manifestuar në rrugët e qytetit serbët kanë kërkuar banorëve shqiptarë të largohen nga pjesa veriore e Mitrovicës duke kërcënuar se në rast të kundërt do ta pësojnë më keq. Çdo ditë në këtë pjesë të Mitrovicës vijnë nga tre autobusë me paramilitarë serbë të cilët vendosen në shtëpitë e shqiptarëve.

Në Klushe të madhe të Rahovecit sot është kryer ceremonia e rivarrimit të 79 viktimave që u masakruan nga forcat serbe në fillim të bombardimeve të NATO-s në datat 25, 26 dhe 27 Mars të këtij viti. Në këtë zonë sipas dëmshive janë vrarë 200 vetë./tvklan.al