Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot masën “arrest me burg” për Ergys Kolaverin, i cili akuzohet se është autori i atentatit të mbetur në tentativë ndaj Elson (Gazmend) Dacit, në burgun e Vaqarrit.

Pala mbrojtëse pretendoi nëpërmjet disa pamjeve filmike të një biznesi në Kamëz, se Kolaveri nuk ndodhej në zonën e Vaqarrit kur është qëlluar në drejtim të ambienteve të ajrimit të burgut Vaqarr. Argument ky, që nuk u mor për bazë nga gjykata.

Ndërsa prokuroria paraqiti si një prej provave pamjet filmike të një biznesi në Vaqarr, ku shquhet një makinë tip benz furgon model Vito, me karakteristika të ngjashme si ai që ka në pronësi Ergys Kolaveri.

Ky i fundit, sëbashku me kushërin e tij Enea Ceka u arrestuan si të dyshuar për atentatin  e mbetur në tentativë të datës 30 Korrik, ku mbeti i plagosur gabimisht Lili Dulaj.

Seanca për Ergys Kolaverin, që akuzohet për “vrasje të mbetur në tentativë” ishte parashikuar të zhvillohej të premten, por u shty pas kërkesës së të pandehurit për përjashtimin e gjyqtares së çështjes.

Një ditë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda la në burg edhe të akuzuarin tjetër Enea Ceka.

Tv Klan