Lajme Arkiva 2003

Bashkimi Evropian paraqiti përsëri rezerva serioze në drejtim të qeverisë shqiptare lidhur me ecurinë e reformave dhe plotësimin e detyrimeve që lidhen me marrëveshjen e stabilizim-asocimit. Unioni theksoi se lufta brenda mazhorancës po tërheq vëmendjen dhe energjitë që duhet të përdoreshin në drejtime të tjera.

Ashtu si edhe dy vjet më parë kriza e Partisë Socialiste në pushtet po bëhet shkak për vonesa të pajustifikueshme në rrugën e integrimit të vendit në Evropë. Duke i shtuar kësaj edhe qeverisjen jo efikase, vërejtjen kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Problemet me rendin, doganat, institucionet dhe stabilitetin e administratës, perspektiva duket e zymtë edhe për të ardhmen. Këtyre vërejtjeve serioze pala shqiptare u është përgjigjur deri më tani vetëm me justifikime dhe premtime që nuk sjellin gjë tjetër vetëm zvarritje në projektin që shqiptarët një ditë të jenë qytetarë të Evropës.

Lufta Nano-Meta, kongresi, statuti, emërimet e ministrave, intrigat dhe skemat në emër të mbajtjes së pushtetit që janë ekskluzivisht afera të një partie të caktuar padrejtësisht po rëndojnë mbi të gjithë qytetarët që prej disa vitesh po u mungon qeverisja reale dhe efikase duke i dënuar të përsërisin pambarimisht ciklin e njohur. Kemi ecur përpara, por jemi përsëri të fundit./tvklan.al