Kryebashkiaku i Libohovës, Leonard Hida, është marrë nën hetim nga Prokuroria e Gjirokastrës me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në kohën kur ishte Shef i Krimeve në Komisariatin e këtij qyteti.

Bashkë me të, të pandehur për të njëjtën akuzë janë marrë edhe disa ish-punonjës të tjerë të policisë, pasi dyshohet se nuk kanë goditur kultivimin e kanabisit në zonë, në vitin 2021.

Dosja përfundoi në Strukturën e Posaçme pasi Gjykata e Gjirokastrës shpalli moskompetencë për çështjen, sa kohë Hida tashmë është zyrtar i lartë.

Këtë të hënë Gjykata e Posaçme do të zhvillonte seancën paraprake për të vendosur nëse do e marrë të pandehur në gjykim kryebashkiakun, por nuk u zhvillua pasi SPAK mori kohë për t’u shprehur në lidhje me çështjen.

Vetë Hida tha se nuk kishte pasur dijeni për këto hetime: “Jo nuk kam qenë në dijeni. Për shpërdorim detyre (akuzohem).”

Ai mori mandatin e kryebashkiakut pas zgjedhjeve lokale të 14 Majit 2023.

Tv Klan