Sekretari i ri i Jashtëm i Britanisë, David Lammy, bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Lammy vizitoi të dielën Izraelin dhe territoret palestineze.
Ai tha se lufta e vazhdueshme në Gaza është “e patolerueshme” dhe në takimet me lidershipin izraelit dhe palestinez tha se Britania dëshiron t’i ndihmojë përpjekjet diplomatike për të siguruar një marrëveshje armëpushimi.
Lammy u takua në Jerusalem me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor me presidentin palestinez, Mahmud Abbas.
Lufta në Gaza shpërtheu Tetorin e kaluar kur Hamasi, grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, sulmoi Izraelin duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.
Në përgjigje, Izraeli është duke kryer një fushatë masive sulmesh për të shkatërruar, siç thotë, Hamasin, i cili kontrollon Gazën. Sipas autoriteteve atje, mbi 38.000 njerëz janë vrarë prej se ka nisur lufta.
Shpresat e banorëve të Gazës për armëpushim janë ringjallur pasi Hamasi, në fillim të këtij muaji, ka pranuar një pjesë kyçe të një propozimi të SHBA-së për ndaljen e luftimeve.
Ndërmjetësuesit e Katarit dhe të Egjiptit, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, thonë se janë të angazhuar vazhdimisht në bisedime./REL