Brenda këtij viti do të fillojë zbatimi i projektit për ndërtimin e Unazës së Madhe të kryeqytetit.

Qeveria ka marrë përsipër ndërtimin e kësaj vepre, kjo pasi sipas kryeministrit Berisha performanca e mjerueshme fiskale e Bashkisë së Tiranës nuk e lejon atë të mund të marrë kredi nga bankat e nivelit të dytë për të realizuar detyrimin që ajo ka për të vënë në jetë këtë projekt me vlerë afro 300 milion euro.

Sali Berisha: “Unaza e Madhe e Tiranës është një domosdoshmëri për kryeqytetin. Shanset e bashkisë për t’u bërë “elektable”, e zgjedhshme për kredi janë minimale. Mbasi performanca e saj fiskale  është e mjerueshme. Sipas kësaj performance llogaritet që ajo mund të shlyejë një kredi së paku në 125 vjet minimumi, çka nuk ka institucion bankar, institucion financiar që mund të ofrojë kredi me një afat mbi një shekullor. Ministria e Punëve Publike do të marrë përsipër tenderimin sa më të shpejtë dhe fillimin e punimeve. Do të zhvillonin negociata me bashkinë në qoftë se u del zot, në qoftë se ka financimin. Në rast se nuk ka financimin ne do e ndërtojmë”.

Kryeministri Berisha deklaroi se ndërkohë është gati në dispozicion të bashkisë së Tiranës fondi për shpronësimin e pronarëve që do të preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe.

Sali Berisha: “Ne konform premtimit të dhënë për shpronësimin do të bëjmë menjëherë disponibël fondin e shpronësimit”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka