Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në tregjet ndërkombëtare valutore, monedhat kryesore botërore u shkëmbyen në një zonë mjaft të ngushtë ndaj njëra-tjetrës, duke mos pasur luhatje të konsiderueshme, pas lëvizjeve drastike, që u shënuan në fillim të javës, ku dollari amerikan, u zhvlerësua pothuajse kundrejt të gjitha monedhave kryesore.

Sipas analistëve, për momentin duket të kemi një farë qetësie pas stuhisë, por të dhënat mbi ekonominë amerikane që pritet të publikohen brenda një jave, mund t’i japin një drejtim të ri tregut valutor. Në orët europiane të shkëmbimeve, monedha e përbashkët europiane u kuotua pothuajse e qëndrueshme ndaj monedhës amerikane, në raportet 1 euro baras me 1.14 dollarë.

Sipas specialistëve të Bankës Italo-Shqiptare, në tregun tonë të brendshëm valutor vazhdojnë lëvizje të ndjeshme. Monedha jonë kombëtare leku është vlerësuar me shpejtësi ndaj dy monedhave kryesore, euros dhe dollarit, pas rënies së konsiderueshme të ditëve të fundit./tvklan.al