Trajneri i Partizanit, Skënder Gega është larguar nga drejtimi i këtij ekipi. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga vetë klubi i futbollit, i cili në një deklaratë në rrjetet sociale thotë se Gega ka vendosur ndërprerjen e kontratës për arsyet e tij personale.

“Klubi saktëson se për arsyet e tij personale, trajneri Gega ka vendosur të ndërpresë me mirëkuptim kontratën mes dy palëve, për të mos vijuar të jetë në drejtimin e ekipit edhe në sezonin e ardhshëm. Presidenti Gazment Demi dhe Drejtori Olsi Rama dëshirojnë të falënderojnë trajnerin Skënder Gega, i cili pas suksesit si lojtar, arriti t’i dhurojë klubit një tjetër trofe kampioni edhe si trajner i Partizanit. Klubi falenderon trajnerin Skënder Gega për emocionet dhe performancën e shkëlqyer që ekipi regjistroi në drejtim e tij”.

Më tej, Klubi i Futbollit Partizani e “falenderon trajnerin Skënder Gega për arritjen e fitimit të titullit të 16 Kampion të Shqipërisë, i cili u rikthye në shtëpi pas 26 vitesh. Trajneri Gega ka një meritë të padiskutueshme në arritjen e këtij suksesi fantastik. Falë kontributit, punës, sakrificës, përkushtimit dhe disiplinës, Gega arriti të krijonte një grup triumfues, duke fituar respektin e lojtarëve, stafit drejtuesve dhe tifozëve të shumtë të Partizanit”.

Një deklaratë bëri edhe vetë Gega, i cili u shpreh i privilegjuar që kishte drejtuar ekipin e Partizanit.

“Prej një viti pata nderin dhe privilegjin të drejtoj Partizanin, ekipin ku unë fillova dhe e mbylla karrierën si futbollist. Këtë sezon në krye të pankinës të ekipit Partizani ka qenë periudha më e bukur që unë kam përjetuar si trainer, e mbushur me plot emocione dhe kënaqësi. Mbas 26 vitesh ja arritëm të rikthejmë trofeun kaq të munguar. Për arsye personale kam vendosur të mos të jem më në krye të pankinës.

“Dua të falenderoj: Klubin Partizani, Presidentin Demi për besimin dhe mbështetjen e tij gjatë gjithë kohës. Drejtorin Olsi Rama për bashkëpunimin. Të gjithë stafin, ekipin për punën dhe mbështetjen, për kënaqësin që më dhuruan. Tifozët e mrekullueshem të Partizanit për mbështetjen. Gjithashtu dua të falënderoj mediat dhe gazetarët sportiv. Ju uroj të gjithë kolegëve të mi trainer suksese”.

/tvklan.al