Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Një muaj pas vrasjes së Vullnet Bytyçit në kufirin shqiptaro-grek, të rinjtë shqiptarë kanë protestuar përpara Presidencës, Kryeministrisë dhe selisë së Bashkimit Europian. Të organizuar nga Lëvizja Mjaft, me gjithë kohën me shi, protestuesit janë ndalur fillimisht përpara presidencës, ku në kujtim të viktimave të pafajshme kanë lidhur një fjongo të zezë në portën e saj.

Protestuesit mbanin në duar pankarta kundër kësaj dhune, ku i bëhej thirrje shtetit shqiptar, të mbrojë qytetarët dhe të kërkojë ndëshkimin e fajtorëve. Më pas protesta është zhvendosur përpara Kryeministrisë, në derën e mbyllur të së cilës është lënë një peticion i nënshkruar nga qytetarë shqiptarë.

Erion Veliaj:- “Ajo që i kërkojmë qeverisë shqiptare është që të mobilizojë stafin diplomatik shqiptar, që të paktën të pajisen me certifikata, ata që vriten rrugëve të botës, që t’i paraqesim me dokumente që t’i mbrojmë në kufi, që jeta e tyre të mos paguhet me çmime që nuk ia vlen barra qiranë”.

Lëvizjes Mjaft sot i është bashkuar edhe Princi Leka.

Princi Leka Zogu:- “Unë shpresoj dhe jam i bindur që ne duhet të fillojmë të punojmë për të ardhmen, sepse ne kemi vetëm një të ardhme, e cila është rinia, e cila është Shqipëria dhe çdo dyshim duhet të fillojë nga ne”.

Në përfaqësinë e Bashkimit Europian në Tiranë, Lëvizja Mjaft ka ndezur qirinj për viktimat shqiptare në kufirin grek, ku dhe është kufiri i Shqipërisë me BE, e ku sipas protestuesve është një turp i madh të vriten barbarisht të rinj shqiptarë./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj