Sipas ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, propozimet ligjore të mazhorancës për Kodin Penal rregullojnë disa dispozita që për gjendjen e jashtëzakonshme në Shqipëri mungojnë.

Ministri u shpreh se lehtësimi i masave lidhet me një risk të madh pasi mund ta kthejë vendin në momentin zero të pandemisë. Prandaj, sipas tij personat që kundërshtojnë autoritetet duhet të penalizohen.

“Gjendja ka arritur në një nivel inkurajues dhe kërkohet që të kalohet në një nivel tjetër ku të lehtësohen disi masat, por kjo është e lidhur me një risk të madh sepse mund të lidhet me kthimin e momentit zero duke rrezikuar mundimin e shqiptarëve gjithë këto javë. Personat që kundërshtojnë urdhrat duhet të penalizohen, duhet të kenë një sanksion që i detyron të binden. Flasim për raste ekstrmisht përjashtimore sepse praktika jonë na tregon se shumica i janë bindur rregullave”, tha Lleshaj.

Ndryshimet e reja sipas Lleshajt parandalojnë humbjen e jetëve të njerëzve për shkak të papërgjegjshmërisë së disa personave.

“Të gjitha dispozitat e reja ndjekin një logjikë përshkallëzuese që lidh shkeljet me pasojat që sjell. Dihet që pasoja që sjell shkelje e rregullave të pandemisë sjell humbjen e jetës së njerëzve. Kodi i ri synon të parandalojmë humbjen e jetës njerëzore për shkak të papërgjeshmërisë. Ata që janë të papërgjegjshëm duhet të paguajnë një çmim penal. Nëse dikush vdes në mënyrë kinetike me armë ndëshkohet rëndë. Edhe nëse dikush vret me bakter duhet të paguajë për këtë”, tha Lleshaj./tvklan.al