Gjeorgjia vendos të tërhiqet. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Shota Utiashvili, sipas të cilit të gjitha forcat gjeorgjiane janë tërhequr plotësisht nga Osetia e Jugut.
Për Tbilisin kjo nuk është një humbje ushtarake, por një përpjekje për të mbrojtur jetët e civilëve.
Vendimi vjen pas tre ditë luftimesh, të ndjekura nga një tentativë e Tbilisit për të marrë kontrollin e provincës separatiste filo-ruse.
Lëvizja e Tbilisit provokoi një kundërpërgjigje të ashpër të Moskës, e cila sulmoi territorin e Gjeorgjisë.
Edhe pas lajmit për tërheqje Rusia ka dërguar 10 mijë ushtarë në Gjeorgji, si nga kufiri tokësor ashtu edhe nga deti.
Flota moskovit e ka urdhrin për të imponuar një bllokadë detare që të pengojë furnizimin e Gjeorgjisë me armë.
Kështu është rikthyer qetësia e brishtë në Tskhinvali, kryeqyteti i Osetisë së Jugut pavarësisht të shtënave sporadike gjatë natës.
Sipas të dhënave bilanci i viktimave është 20 të vdekur e 150 të plagosur, ndërsa qyteti është komplet i shkatërruar.
Nërsa shqetësimi perëndimor në lidhje me situatën në rajon është në rritje Britania i kërkoi Rusisë që të respektojë territorin e Gjeorgjisë, ndërsa Franca paralajmëroi Moskën se nëse nuk e bën një gjë të tillë do të ketë pasoja në marrëdhëniet me Evropën.
Vendet e tjera e kanë kritikuar Rusinë për dërgimin e trupave në Gjeorgji, por nuk është e sigurt nëse përpjekje të tilla ndërmjetësimi nga ana e Perëndimit do të ndryshojë situatën.
Moska thotë se roli i saj historik paqeruajtës në Osetinë e Jugut i jep të drejtën për të ndërhyrë ushtarakisht për të mbrojtur civilët, që sipas saj po bombardoheshin nga Gjeorgjia.
Rruga për të dalë nga ky konflikt sipas Moskës është që pas tërheqjes Gjeorgjia të nënshkruajë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle