Rey Manaj është kthyer nga dëmtimi dhe duket në formë të jashtëzakonshme. Sulmuesi i Kombëtares, realizoi dopietë golash në Superligën turke me fanellën e Sivasspor, në sfidën e fituar 3-2 ndaj Hatayspor.

Futbollisti lushnjar, ishte protagonist absolut në këtë takim, duke i siguruar skuadrës së tij 3 pikë të rëndësishme në kampionat.

Manaj zhbllokoi takimin në minutën e 43-të, duke shënuar me kokë, pas një krosimi nga goditja e këndit. Miqtë barazuan në fund të pjesës së parë, ndërsa përmbysën rezultatin në të dytën.

Megjithatë, Manaj ishte sërish vendimtar, duke barazuar shifrat në minutën e 73-të me një penallti, për t’i hapur rrugë fitores së Sivasspor, që shënoi edhe një herë me Camara.

Me dy golat e sotëm, shqiptari shkon në kuotën e tre rrjetave në Superligën turke. Kujtojmë se 27-vjeçari nuk luante prej disa javësh, për shkak të një dëmtimi të pësuar, i cili e la jashtë edhe në grumbullimin e Shqipërisë, për ndeshjet e muajit Tetor në Ligën e Kombeve. /tvklan.al