Trajneri i Chelsea, Enzo Maresca pret me kënaqësi ndeshjen ndaj Manchester United, ku do të takohet me ish-shokun e skuadrës Ruud van Nistelrooy, i cili ka detyrën e trajnerit të përkohshëm. Në fund të muajit në stolin e “Djajve të kuq” do të ulet Ruben Amorim.
Blutë e Londrës përballen të dielën me United në “Old Trafford” ku nuk kanë arritur të fitojnë që nga viti 2013. Maresca, ka luajtur me Van Nistelrooy te Malaga në sezonin 2011-2012, në fund të karrierës së holandezit. Kjo do të jetë sfida e dytë e Van Nisterloit te United, pas fitores në mesjavë në League Cup kundër Lester City-t 5-2.
“Do t’i jap Van Nisterloit një përqafim të madh përpara ndeshjes. Presim një ndeshje të fortë. Ai është një djalë fantastik, i përulur dhe shumë profesional. Kemi pasur grup të mirë shokësh atëherë te Malaga. Është kënaqësi të kujtoj ato momente”, tha Maresca.
Chelsea humbi 2-1 në Old Trafford në dhjetor dhe u mposht 4-1 në maj të vitit të kaluar. Ata nuk kanë arritur që të fitojnë në 11 ndeshjet e fundit në Manchester në kampionat, me gjashtë barazime dhe pesë humbje.
“Shpresojmë të jetë një moment i mirë për të luajtur ndaj tyre. Është një stadium vërtet i vështirë për të fituar dhe të dhënat tona të fundit e tregojnë këtë”.
Chelsea renditet në vend të pestë me 17 pikë, gjashtë pas kryesuesve të Manchester City, pas katër fitoreve në gjashtë sfidat e fundit. ndërsa United pozicionohet në vend të 14-me 11 pikë.
Klan News