47 krerë qeverish dhe shtetesh të kontinentit të vjetër u ulën për herë të katërt në tryezën e Komunitetit Politik Europian, format që mori jetë në 2022 me propozim të presidentit Macron. Kryeministri i ri britanik Keir Starmer, mikpritësi i këtij takimi i priti mysafirët, mes të cilëve dhe kryeministrin Rama në Pallatin Blenheim, vendlindja Winston Churchill.
Siguria dhe lufta në Ukrainë dominoi axhendën e takimit në Britani, por një çështje që mori vëmendje ishte dhe emigrimi, një problem që shqetëson të gjithë komunitetit europian. Tryeza që trajtoi këtë çështje u bashkëdrejtua nga Edi Rama dhe Giorgia Meloni.
Takimi ishte pa praninë e mediave, por në ato pak pamje që agjencia Reuters shpërndau, dëgjohen batutat e shkëmbyera mes Ramës dhe Melonit, ku të pranishëm ishin mes te tjerëve, kryeministri britanik dhe kancelari gjerman..
“Ai i njeh politikat europiane më shumë se unë. Në disa raste është ai që mi shpjegon politikat italiane. Është thuajse italian”, tha Meloni për kryeministrin shqiptar.
“Kjo sepse më duhet t’i studioj të dyja palët. Kjo studion vetëm kundërshtarët”, shtoi Rama.
Në fjalën e tij në çelje të takimit, kryeministri Starmer deklaroi se ky samit është një mundësi për të vendosur një rrugë të re për emigracionin ilegal, për të transformuar mënyrën se si “ne punojmë së bashku për sigurinë kufitare dhe zbatimin e ligjit dhe për të thënë së bashku jo më shumë”.
Gjatë pushimeve në samit, Rama ka patur mundësi të takohet në prani dhe të Charles Michel dhe me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, një takim që duket krejtësisht i çliruar nga gjithë përplasjet që dy kryeministrat kanë patur gjatë vitit të fundit për çështjen Beleri. Betimi i këtij të fundit si eurodeputet me lejen e Drejtorisë së Burgjeve, mesa duket ka shkrirë tensionet mes dy vendeve.
Nuk ka pasur asnjë koment lidhur me këtë takim nga zyra e kryeministri, ai që Rama komentoi ishte ushqimi britanik i serviruar për liderët e pranishëm në samit.
Në këtë foto ai shkruante se “nuk kanë faj fare anglezët që kur vijnë në Shqipëri dhe thonë “oh sa mirë hahet këtu tek ju!”.
Nuk dihet nëse “vlerësimin” për ushqimin Rama ia ka bërë edhe kryeministrit në takimin bilateral që ka zhvilluar me të në një nga parqet e pallatit, foton me te cilin e postoi në rrjetet sociale.
Tv Klan