Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka thënë se Kina është një “bashkëbisedues i rëndësishëm” në menaxhimin e tensioneve botërore. Deklaratën e bëri pasi u takua me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin.
Xi përshëndeti lidhjet miqësore të krijuara prej kohësh si dhe tolerancën, besimin reciprok dhe respektin e ndërsjellë mes Pekinit dhe Romës. Gjatë udhëtimit të parë në Kinë që kur ka marrë detyrën, Meloni nënshkroi me homologun kinez Li Qiang një plan tre vjeçar për të forcuar bashkëpunimin ekonomik.
Meloni do të zhvillojë një vizitë pesë ditore në Kinë. Kjo ndodh pasi vitin e kaluar Meloni hoqi Italinë nga iniciativa “Brez dhe rrugë” (BRI) e Xi Jinping.
“Ka një rritje të pasigurisë në nivel ndërkombëtar dhe mendoj se Kina është në mënyrë të pashmangshme një bashkëbisedues i rëndësishëm për të adresuar këto dinamika”, u shpreh kryeministrja italiane.
Ajo tha se dy vendet duhet të mendojnë së bashku për të ruajtur stabilitetin dhe të garantojnë paqen.
Italia ishte vendi i vetëm i madh ndër vendet perëndimore që nënshkroi iniciativën e BRI-së, një nga projektet më ambicioze të Kinës për tregtinë dhe infrastrukturën. Kjo lëvizje u kritikua asokohë nga SHBA-ja dhe disa vende të tjera perëndimore.
Qëkur erdhi në pushtet në vitin 2022, Meloni është përpjekur të ketë një politikë të jashtme më pro-perëndimore dhe pro-NATO sesa paraardhësit e saj. Para se të hiqte vendin nga iniciativa kineze ajo kritikoi qeveritë e mëparshme për gabime të rënda.
Nën pushtetin e Melonit, Italia ka bllokuar një kompani shtetërore kineze që të marrë nën kontroll gjigandin e gomave Pirelli. Roma po ashtu ka mbështetur një lëvizje të fundit të Komisionit Europian për të vendosur tarifa deri në 37.6% ndaj makinave elektrike që importohen nga Kina.
Tregtia mes dy vendeve arriti në 66.8 miliardë Euro vitin e kaluar, duke e bërë Kinën partnerin tregtar të dytë më të madh jo europian të Italisë, pas SHBA-së./tvklan.al