Lajme Arkiva 2004

Ministri i Financave Arben Malaj ka akuzuar tatimet për korrupsion paaftësi dhe favorizim të bizneseve në mbledhjen e të ardhurave.

Arben Malaj: Sfida është e vështirë pikërisht për faktin se informaliteti, evazioni, shitja e mallrave pa pullë, mosdhënia e faturës, kuponit apo dëftesës tatimore, deformimi i bilanceve dhe falsifikimi i tyre, komprometimi i një pjese në administratën tatimore, konsiderohen edhe nga opinioni publik si diçka normale. Ka shumë pak penalizime ligjore, procese të zvarritura apo të mbyllura ku ka zona të caktuara, gati të legalizuara për të tregtuar mallra akcize gati pa pullë, brenda qyteteve apo në akset e rrugëve nacionale, aty ku kalojnë apo bëjnë sikur kontrollojnë përditë punonjësit e luftës kundra kontrabandës dhe kundër krimit ekonomik.

Në prezantimin e parë si ministër i Financave Malaj ka qenë i ashpër ndaj organeve tatimore si dhe ka promovuar ambicien e tij për të bërë revolucion në mbledhjen e të ardhurave.

Mbi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve rëndon përgjegjësia e mbledhjes të më shumë se 50% të parave të buxhetit të shtetit për vitin 2004, ndërkohë që prej një muaji tatimet gjenden pa drejtor të përgjithshëm./tvklan.al