Lajme Arkiva 2003

Ministri i Rregullim Territorit dhe Turizmit kërko lirimin nga detyra të disa drejtorëve të Ndërmarrjeve të Ujësjellës Kanalizimeve. Në analizën e punës së 6 mujorit në Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve ministri Dervishi ka deklaruar se do ti propozojë këshillit mbikëqyrës që ndaj disa drejtorëve të merret masa e shkarkimit nga detyra për shkak të dobësive të përsëritura në punën e tyre.

Besnik Dervishi: Në mbledhjen e marsit ne theksuam se dobësi të tilla të përsëritura nuk do të lejohen dhe do të merren masa deri në largimin nga detyra të drejtuesve. Unë do ti propozojë këshillave mbikëqyrës që për disa drejtorë të merren masa për lirimin e tyre nga detyra. Le të shërbejë kjo për të kuptuar se janë vetëm rezultatet ato që u sigurojnë vazhdimësinë e kontratës së punës.

Burime jo zyrtare nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit pohojnë se drejtorët më të përfolur për t’u liruar nga detyra janë ai i Përmetit, Laçit, Fierit dhe disa të tjerë.

Shkak për këtë vendim të ministrit Dervishi është bërë keqadministrimi i ndërmarrjeve.

Besnik Dervishi: Ministria në asnjë rast nuk do të lejojë që investimet që po kryhen në këtë sektor prioritar të mos japin efektin e pritshëm për shkak të neglizhencës dhe keqadministrimit nga stafet drejtuese të ndërmarrjeve . disa drejtorë e kuptojnë punën e tyre me dërgimin e letrave nëpër dikastere dhe jo me zgjidhjen konkrete të këtyre problemeve duke vulosur në këtë mënyre paaftësinë e tyre.

Dervishi tërhoqi vëmendjen dhe për situatën e furnizimit me ujë në zonat turistike që sipas tij lë shumë për të dëshiruar sidomos tani me fillimin e sezonit veror. Sipas ministrit Dervishi kjo vjen për shkak të mangësive që vihen re në menaxhimin e ndërmarrjeve./tvklan.al