Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka zhvilluar në ambientet e ministrisë një takim me ambasadorin amerikan, John Withers, të cilit i paraqiti disa nga prioritetet dhe projektet e dikasterit që ajo drejton.
Duke u ndalur tek lufta kundër korrupsionit në shëndetësi që Godo ka nisur që prej ditës së parë si ministre ajo deklaroi se krahas korrupsionit mjek-pacient më problematik mbetet korrupsioni në procedurat e tenderimit dhe prokurimit që është konstatuar kohët e fundit.
Një nga problemet e trashëguara në shëndetësi, tha Godo, është edhe mungesa e informacionit në sistemin shëndetësor. Kjo do të jetë dhe një nga sfidat që do ta përballojnë me shumë vendosmëri.
Një problem tjetër është edhe mungesa e profesionalizmit në administratë, ndaj për këtë ministrja ka premtuar se së shpejti do të nisë një shkollë 1-vjeçare për menaxhimin shëndetësor.
Përsa i përket reformës së kryer deri tani në shëndetësi Godo informoi ambasadorin Withers se ajo ishte me ritme më të shpejta seç duhet dhe jo në mënyrë të matur.
Ndërkaq ministrja ka falënderuar dhe informuar ambasadorin për ecurinë e dy projekteve që ka në bashkëpunim me USAID-in.
Projekti për përmirësimin e cilësisë së shërbimit në kujdesin parësor, i cili pas kalimit me sukses në Berat pritet të vijojë edhe në Shkodër, Dibër, Lezhë dhe Korçë, si dhe për projektin e planifikimit familjar dhe luftën kundër AIDS-it.
Nga ana e tij ambasadori amerikan ka përshëndetur punën dhe profesionalizmin e ministres Godo duke i siguruar mbështetje të mëtejshme nga ana e qeverisë së tij për të gjithë projektet ambicioze të Ministrisë së Shëndetësisë./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami