Lajme Arkiva 2004
Ndizet përsëri sherri brenda Partisë Socialiste. Kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruçi u ka kërkuar deputetëve që tu binden të gjitha vendimeve të qeverisë, çfarë ka sjellë reaksionin e të ashtuquajturve deputetë të mendimit ndryshe brenda grupit parlamentar.
Ish kryeministri Meta ka kundërshtuar teorinë e vendosjes në rresht. Megjithatë për të hedhur postë të gjitha zërat se ndryshimet në qeveri nuk mund të realizohen për shkak se ai dhe disa deputetë të tjerë që e mbështesin mund të bllokojnë miratimin, Ilir Meta ka deklaruar se do të votojë ndryshimet në qeveri, po ashtu dhe projektligjet e rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Deputeti Ndre Legisi është treguar më i prerë duke kërkuar që Partia Socialiste të dalë me një platformë se si do të shkohet me zgjedhjet parlamentare, por dhe për ndryshimet në qeveri ku do të pranohen dhe propozimet e deputetëve që mendojnë ndryshe nga kryetari, përndryshe socialistët ndahen përfundimisht.
Kjo deklaratë është mbështetur edhe nga deputetët Braçe dhe Blushi, sipas të cilëve konfliktet e brendshme ulin prestigjin e Partisë Socialiste. Deputeti Limoz Dizdari është treguar më i ashpër në kritikën ndaj kryeministrit Fatos Nano duke e cilësuar atë të papërgjegjshëm.
Dizdari është shprehur se shefi i qeverisë duhet të përgjigjej dhe jo të kritikonte të njëjtat fenomene që janë përmendur gjatë gjithë vitit, jo vetëm nga kundërshtarët e tij brenda partisë, por edhe nga raportet e ndërkombëtarëve./tvklan.al