Kushtet e motit këtë fundjavë do të jetë shumë dinamike. Pasi pas disa ditëve me temperatura tipike vjeshte, sinoptikanët parashikojnë ndryshime duke nisur nga dita e Shtunë.

“Do kemi një ndryshim drastik të kushteve atmosferike. Dita e shtunë do të sjellë depërtimin gradual të një mase të ftohtë polare e cila do të zbresë drejt Gadishullit të Ballkanit dhe Shqipërisë duke sjellë menjëherë ndryshim të kushteve atmosferike. Në fakt e shtuna do të ketë rënie me të paktën 2-3 Gradë të temperaturave dhe nga vlera mjaft të larta që kemi përjetuar. Pothuajse gjatë gjithë javës deri më 18 apo 19 Gradë e shtuna do të ulë termometrin në 15 Gradë dhe dita e dielë do të jetë ajo e cila do të bëjë ndryshimin drastik ku presim 6-7 Gradë rënie për shkak të masës së ftohtë e cila depërton në territorin shqiptar”, tha Porja.   

Temperaturat do të pësojnë ulje, por më të ndjeshme do të jetë ditën e dielë pasi ulen me 6-7 Gradë, ndërsa vlerat minimale zbresin nën zero.

“Dita e dielë me reshje shiu dhe reshje të dendura dëbore pothuajse në të gjithë zonën veriore, verilindore dhe në zonat juglindore rrebeshe shiu në pjesën tjetër të territorit. Parashikohet në fakt që reshjet e dëborës të zbresin deri pranë zonës së ulët, kryesisht në zonat e mbi Shkodrës. Megjithatë reshje më të pakëta do të ketë jugu i vendit. Temperaturat e ajrit do të pësojnë ndryshim drastik duke filluar që nga dita e dielë dhe do të na shoqërojnë përgjatë gjithë javës, ku termometri do të zbresë të paktën të dielën në -2 dhe -3”, tha Porja.

Këto temperatura të ftohta polare sipas parashikimeve të sinoptikanëve do të vijojnë edhe gjatë javës tjetër në të gjithë Gadishullin e Ballkanit.

Klan News