Presidenti amerikan Barak Obama dhe ai rus Vladimir Putin dështuan në gjetjen e një ujdie për firmosjen e një armëpushimi, në Siri.
Pas dështimit të bisedimeve dyjavore mes Sekretarit Amerikan të Shtetit, Xhon Kerri dhe ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov për uljen e armëve, edhe liderët e dy vendeve nuk ranë dakord gjatë takimit të zhvilluar në Kinë, me rastin e Samitit të G20.
Shefat e diplomacive të dy vendeve gjetën një marrëveshje në muajin shkurt, por pakti ra brenda pak javësh, pasi Shtëpia e Bardhë akuzoi Sirinë se po bombardonte pozicionet e opozitarëve rebelë.
Pika e ndarjes së dy superfuqive botërore është presidenti sirian Bashar al-Assad. Uashingtoni gjykon se arritja e paqes në Siri dhe mposhtja përfundimtare e ISIS, mund të bëhet e mundur vetëm pas rrëzimit të tij nga pushteti, ndërsa Moska e cilëson atë si një aleat dhe e mbështet në fushatën kundët rebelëve të qeverisë./TV KLAN