Të ftuar:
Erald Kapri – AMA
Ergys Mertiri – Sociolog
Jonila Godole – Pedagoge
Mentor Kikia – Gazetar
Reis Çiço – Gazetar
Julian Bejko – Pedagog i sociologjisë
Pedagogia Jonila Godole, sonte, në studion e emisionit Opinion në lidhje me shfaqjen apo mos shfaqjen e filmave shqiptar të realizuar në periudhën e realizmit socialist, deklaroi se nga pikëpamja artistike ato filma nuk kanë asnjë lloj vlere. Ndërsa përsa i përket elementit ideologjik në lidhje me këta filma, Godole thekson se duhet të ndërtohen dy lista; njëra të përcaktojë ato filma që nuk duhet të transmetohen dhe një tjetër, të përbëhet nga ato filma që kërkojnë një shpjegim sqarues në lidhje me ta. “
Një listë të ketë emrat e atyre filmave që ka në thelb të tijë diversantët, armiqtë dhe klerin. Tjetra të përbëhet me filmat që kanë nevojë për një lloj shpjegimi. Unë jam për modelin rumun të informimit, në filmat që ishin prodhuar në periudhën e realizmit socialist, përgjatë gjithë filmit në krye të tij shoqërohej me një fjali dhe logon e partisë komuniste romune. Por ka edhe filma që nuk shfaqen fare
”, tha Godole.
Në emisionin Opinion mbrëmjen e sotme është duke u diskutuar nëse filmat e komunizmit duhet të shfaqen apo jo. Teksa gazetari Reiz Çiço mbron idenë se filmat duhet të shfaqen, pasi sipas tij nëse ata nuk lejohen të transmetohen, bashkë me zhdukjen e tyre, ikin edhe vlerat e aktorëve të njohur që i kanë luajtur. Ndërsa ishte duke mbrojtur këtë ide, Çiço tregoi edhe një detaj nga ceremonia e tij martesore, të cilin e bëri të ndihej jo mirë. Ai tha se në dasmën e tij, babai dollinë e parë nuk e kishte ngritur për atë dhe nusen e tij, por për partinë. “Po flas për tim atë, rahmet pastë atje ku është, kur u martova unë e dini për kë e ngriti dollinë e parë, se kishte frikë se ishin disa të ftuar atje; dollia e parë, tha të rrojë partia. Shikoni si mu b ë mishi kokrra. Nuk tha të më trashëgohet djali. Pra ky regjim i ndyrë ishte. Nuk e kishte sinqerisht se erdhi me qau, mirëpo fjalën e parë atë tha”, është shprehur Çiço.
Emisioni Opinion, mbrëmjen e sotme, ka si temë filmat në komunizëm dhe arsyen e shfaqjes apo mos shfaqjes së tyre. Një pjesë e panelit mendon se një art i kontrolluar politikisht vijon t’i rezistojë kohës, madje dhe shijeve të publikut. Sipas tyre, kinemaja shqiptare e periudhës së realizmit socialist ose filmi i prodhuar sipas një konteksti shoqëror dhe politik është, gati-gati, konkurues edhe në tregun e sotëm të filmit televiziv. Ata bëjnë me dije se prodhimet kinematografike të Kinostudios Shqipëria e Re ndoshta për arsye që lidhen jo vetëm me parametra artistik dominojnë edhe sot kulturën e atij që mund ta quajmë tipizim të fenomeneve apo personazheve që u krijuan nga regjisorët apo skenaristët e kohës dhe u adoptuan nga publiku.