#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Në pjesën e dytë të emisionit “Opinion” ishte Ilir Meta i kthyer në një lloj “Spiderman”-i në rrjetet sociale në Shqipëri dhe njëkohësisht njeriu më në qendër të vëmendjes për momentin. Ai ishte i ftuar në studio për një bisedë me Iris Luarasin dhe Enton Abilekajn.

SPAK ka kërkuar masë sigurie për të? Si i përgjigjet Meta Fevziut

Ndryshe nga 10 ditë më parë (Lexo më shumë), ish-Presidenti Ilir Meta u shfaq më i qetë në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan këtë të enjte.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se deri më tani thuhet se Prokuroria e Posaçme mund të ketë kërkuar një masë sigurie për të, Meta u përgjigj shkurt. Ai tha se SPAK-u është i mirëpritur në Konventën që ka paralajmëruar Partia e Lirisë.

Blendi Fevziu: Kam dëgjuar që SPAK-u, deri tani ç’thuhet, ka kërkuar një masë, nuk e di çfarë mase sigurie për ju?

Ilir Meta: SPAK-u është i mirëpritur në konventë kur të ketë dëshirë.

Blendi Fevziu: SPAK-u s’vjen të ndalojë konventën, por ne nuk e dimë masën, por deri më tani sipas gazetarëve të kronikës SPAK-u ka çuar në gjykatë masën e sigurisë për ju?

Ilir Meta: I dashur zoti Blendi, SPAK-u të japë kontributin e vet në mbarëvajtjen e konventës, është i mirëpritur në cilëndo formë, pa asnjë diskutim. Kemi gjë tjetër?

E ka personale? Meta sulmon sërish Dumanin: Ai është shumë i vogël për mua

Edhe pse në daljet e tij të fundit publike nuk i ka kursyer akuzat dhe ofendimet ndaj kreut të SPAK Altin Dumani, sonte në studion e “Opinion” ish-Presidenti Ilir Meta thekson se nuk ka asgjë personale me të. Megjithatë përdor të njëjtën gjuhë ndaj Dumanit duke e konsideruar “të vogël për t’u marrë me të”.

I pyetur se pse nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim ndaj Arben Krajës në kohën kur po njësoj e ka kritikuar punën e SPAK, Meta nuk dha një përgjigjie konkrete.

Enton Abilekaj: Njëherë e sulmoni për mosveprim, njëherë për mbiveprim. Për çfarë e sulmoni?

Ilir MetaPse nuk i arrestoi kur provat flagrante u bënë publike? Nuk i arrestoi sepse me lekët e inceneratorëve në Tiranë, Elbasan e Fier duhet të bliheshin zgjedhjet.

Enton Abilekaj: Ju se sulmoni Krajën. Dumanin ju e sulmoni sepse ai guxoi t’ju hetojë juve. E keni personale…

Ilir Meta: S’kam asgjë personale, përkundrazi…Ai është shumë i vogël që unë të merrem personalisht me të.

Blendi Fevziu: Ai është kreu i SPAK!

Ilir Meta: Shumë i vogël mo, o zotëri të lutem…Ka mijëra e mijëra njerëz në Shqipëri që mund të merren me të.

Enton Abilekaj: Ju po e fyeni prapë dhe po e intimidoni.

Ilir Meta: Unë e kam kritikuar SPAK-un kur të gjithë prisnin që të zbardhej çështja e Dibrës dhe Shijakut. E kam kritikuar kur opozita e denoncoi për çështjen e Elbasanit.

Enton Abilekaj: Nuk shpikët asnjë epitet si Dum Dumani me Krajën, as se përmendët fare.

Basha e quajti kartë të djegur, Meta e ironizon: Ky edhe kur fle gënjen. Tregon edhe një sekret në “Opinion”

Ish-presidenti Ilir Meta ka qenë i ftuar sërish këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ai i ka kthyer përgjigje deklaratave të Lulzim Bashës se Meta është “kartë e djegur dhe përfituesi më i madh i pushtetit”. Sipas Metës, Basha është gënjeshtar i lindur dhe këtë e bën edhe kur fle gjumë.

“Edi Rama tha nuk është më kryeministër tha, apo jo? E tha edhe e mbajti fjalën. I dashur Blendi, ky jo vetëm për orën që të gënjen, por ky edhe kur fle gënjen, pale kur flet. Edhe kur fle ky gënjen. Është gënjeshtar i lindur dhe 24 orë pa ndërprerje”, tha Meta.

Një përgjigje e pati edhe për deklaratat e Bashës për djegien e mandateve. “Ilir Meta ka qenë nxitës i djegies së mandateve njësoj si të tjerët. Disa e kanë kurajon ta pranojnë disa të tjerë si ilir Meta hedhin gurin, fshehin dorën”, tha Basha.

Përveçse e konsideron djegien e mandateve aktin më kriminal, Meta thotë se ka qenë edhe kundër bojkotit të opozitës. Për këtë zbuloi për herë të parë një takim që ka zhvilluar me kryetarin e Kuvendit asokohe, Gramoz Ruçi.

Sipas Metës, ky i fundit i ka kërkuar që të flasë me Bashën dhe Kryemadhin që të vijnë në Kuvend dhe të mos përdorej një skenar që do të çonte në zëvendësimin e deputetëve.

“Le të vijmë tek djegia e mandateve, te akti më kriminal që ka bërë Lulzim Basha për llogari të Edi Ramës. Dhe ishin paketë këto bashkë, djegia e mandateve, falja e pushtetit lokal dhe bojkoti i Reformës në Drejtësi. Unë jo për djegien e mandateve që nuk më ka shkuar në mendje, por unë kam qenë edhe kundër bojkotit se bojkoti është bërë i pavlerë në Shqipëri. Së dyti, i kam çuar unë në parlament opozitën sepse plani ishte që të themi të vërtetën dhe këtu po them edhe një sekret. Ndoshta do mërzitet pak zoti Ruçi. Do them një sekret. Plani ishte që mandatet të digjeshin për shkak të bojkotit e të bëheshin 6 muaj edhe të detyrohej zoti Ruçi të zbatonte rregulloren dhe të firmoste për t’i zëvendësuar. Ai në 29 Nëntor të atij viti, pra kjo ndodhi në Shkurt, pas ceremonisë në Varrezat e Dëshmorëve, unë si President ai si Kryetar Kuvendi më ftoi për një kafe dhe më tha. Më dëgjo më tha mua, fol pak me zotin Basha, edhe me Mokinën tha dhe të vijnë se unë kam një presion të madh nga partia, nuk tha nga Rama që të them të vërtetën, që të firmos, të zbatonte ligjin. Ai ishte politikan me përvojë. E dha mesazhin e vet. Kam folur me Bashën dhe Monikën që duhet shkuar sepse është ky skenar dhe kjo nuk i shërben as opozitës, askujt. Ata e shtynë. Unë isha në presidencë dhe shikoja zotin Balla, sa e kishin kaluar buxhetin këta, studentët ishin në protestë dhe zoti Balla thotë që për kërkesat ekonomike të studentëve s’kemi ça bëjmë sepse ne e kaluam buxhetin tani e ka presidenti. Atëherë thashë faleminderit zoti Balla dhe bëra një deklaratë. Për arsye politike për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës dhe disa problemeve po e kthej buxhetin. Kam folur me Petrit Vasilin dhe Monika Kryemadhin që jeni Partia e Lirisë, çoni amendamentet atje. Dhe ata vajtën. Pastaj u shfrytëzua një moment që unë isha jashtë shtetit, u bë fakt i kryer”, tha Meta.

/tvklan.al