Lajme Arkiva – TV Klan 2003
E përçarë me dy kryetarë, Partia Aleanca Demokratike e drejtuar nga deputeti Arben Imami, ka vendosur t’i bashkohet koalicionit opozitar Bashkimi për Fitore. Vendimi i pritshëm prej kohësh është marrë nga Asambleja e Aleancës Demokratike e ndarë para një viti, nga pjesa tjetër e partisë, siç e quajnë ata të paligjshëm, të drejtuar nga Neritan Ceka.
Sipas zoti Imami, bashkimi me Partinë Demokratike, në koalicionin opozitar, do të sjellë bashkëpunimin e tyre që në zgjedhjet lokale të Tetorit.
Arben Imami:- “Asambleja Kombëtare e Partisë Aleanca Demokratike, në mbledhjen e saj të radhës mbajtur në Tiranë në datën 12.04.2003 vendosi:
- Te miratojë koalicionin politik me PD dhe propozimet e kryesisë, për të shkuar në zgjedhjet lokale të këtij viti si pjesë e këtij koalicioni.
- Të mandatojë kryesinë për të negociuar termat konkrete të marrëveshjes politiko-elektorale me PD, si dhe për të vijuar përpjekjet për rritjen e bashkëpunimit dhe kohezionit mes partive opozitare në funksion të ndërtimit të një alternative fitimtare të opozitës, përkundrejt pushtetit të PS”.
Vendimi i aleancistëve është përshëndetur menjëherë nga kreu i demokratëve Sali Berisha, sipas të cilit, i gjithë spektri opozitar në parlament, po shkon drejt bashkimit në një koalicion të vetëm.
Sali Berisha:- “E përshëndes këtë akt dhe i sigurojë, të gjithë anëtarët dhe drejtuesit e kësaj partie, se do të kenë në PD, një partner luajal në të gjitha nivelet e saj”./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço