Papa Françesku dënoi ashpër trajtimin e emigrantëve që kalojnë Detin Mesdhe për të hyrë në Evropë, duke e cilësuar një “mëkat i rëndë” të mos ofrosh ndihmë për anijet e emigrantëve.
“Në ato dete dhe shkretëtira vdekjeprurëse, emigrantët e sotëm nuk duhet të jenë atje, dhe për fat të keq ata janë. Por nuk është përmes ligjeve më kufizuese, nuk është përmes militarizimit të kufijve, nuk është përmes refuzimeve që ne do ta arrijmë këtë. Ne do ta arrijmë atë duke zgjeruar rrugët e sigurta dhe legale të hyrjes për emigrantët, duke lehtësuar strehimin për ata që ikin nga luftërat, dhuna, persekutimi dhe kaq shumë fatkeqësi”, tha Papa Françesku.
Sipas Atit të Shenjtë për të cilët nuk specifikoi emra, ka nga ata që punojnë sistematikisht dhe me çdo mjet për të refuzuar emigrantët dhe kjo është edhe më tragjike kur bëhet me ndërgjegje dhe përgjegjësi.
Thirrja e tij vjen pasi Gjermania që deri më sot ka patur qasjen më të butë ndaj emigrantëve të jashtëligjshëm, po planifikon ashpërsimin e politikave ndaj tyre. Pas aktit terrorist ku një i ri sirian që nuk përfitoi azil në Gjermani, vrau me thikë 3 persona në Solingen, kancelari gjerman Olaf Scholz premtoi nisma ligjore për bllokimin e hyrjeve për të huajt përmes rrugëve ilegale.
Ndërkaq mes problemeve të shumta shëndetësore Papa Françesku do të bëjë udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit të vitit dhe më të gjatë të papatit të tij 11-vjeçar, duke udhëtuar në Indonezi, Papua Guinea e Re, Timor-Leste dhe Singapor më 2-13 shtator. Udhëtimi i tij i fundit ishte një qëndrim dy-ditor në Marsejë, Francë, në shtator 2023.
Klan News