Në ditën kur mazhoranca kërkoi ngritjen e një komisioni parlamentar për të hetuar kryetarin e bashkisë së Tiranës Edi Rama që po mbante peng planin rregullues të kryeqytetit. Ky i fundit ka dorëzuar pranë këshillit bashkiak pjesën e parë të dokumentacionit për planin urbanistik të kryeqytetit.
Sipas kryetarit të këshillit bashkiak Sokol Dervishi pjesa e parë e dorëzuar përmban hartat e këtij plani ndërsa pritet të dorëzohet edhe pjesa tjetër e dokumentacionit. Veprimi i papritur i Ramës pason në të njëjtën kohë edhe disa qëndrime të ashpra të mazhorancës e cila për një javë me radhë nëpërmjet zëdhënëses së PD-së, deputetëve të ndryshëm apo këshilltarëve të vet në bashki i kërkoi kryetarit Rama që të dorëzonte në këshill planin urbanistik të kryeqytetit të miratuar pak kohë më parë.
Ndërkohë sot ka reaguar dhe Partia Republikane e cila i ka kërkuar kryetarit të bashkisë Edi Rama të vendosë në dispozicion të qytetarëve të Tiranës planin rregullues.
Besnik Bisha: “Partia Republikane i kërkon bashkisë së Tiranës, kryetarit të saj zotit Edi Rama që të vërë në dispozicion të qytetarëve të Tiranës plani rregullues të qytetit, i cili ka 4 muaj që rrinë në zyrën e tij, në dosjet e tij si të vetmen mundësi që këtë bashki ta shkëpusë nga praktikat e saj korruptive ku lejet për ndërtim këmbehen me votat elektorale. Ne i kujtojmë kryetarit të bashkisë se as lejet e ndërtimit, as dëshira e tij për të krijuar imazh ose zgjedhjet për parlamentin e ardhshëm do të jenë zgjedhje problematike, nuk do ta shpëtojnë partinë socialiste apo të majtën në tërësi nga humbjet e 28 qershorit.”/tvklan.al