Moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës nga ana e mazhorancës në seancën plenare të së enjtes, Partia Demokratike e cilëson krim në flagrancë. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Gazment Bardhi teksa ftoi deputetët socialistë që të reflektojnë për votën e tyre, kërkoi njëherazi nga drejtësia që të veprojë në rast të shkeljes së ligjit nga ana e mazhorancës në kuvend.
“Nëse këtu ka drejtësi dhe prokurori, cilido deputet që ngre kartonin për të refuzuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese kryen krim në flagrancë për pengimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore dhe neni 81 i ligjit për vendimet e Gjykatës Kushtetuese dënohet sipas Kodit Penal. Ndaj cilido që pengon zbatimin e Gjykatës Kushtetuese, kryen krim.”
Në shënjestër të akuzave për sulm të koordinuar ndaj drejtësisë, Bardhi vuri Kryeministrin Rama dhe Kryebashkiakun Veliaj.
“Kemi parë një sulm të koordinuar të kryetarit të Bashkisë së Tiranës sa i takon korrupsionit të padëgjuar në Bashkinë e Tiranës. Kulmi i këtij sulmi të koordinuar arriti kulmin dje që jo për llogari të Olta Xhaçkës, por për llogari të Edi Ramës sulmuan hapur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, madje duke shpallur atë se gjykata nuk i imponohet dot Kuvendit. Të injorosh vendimet e Gjykatës Kushtetuese është akt mafioz ndaj drejtësisë.”
Sipas demokratëve, injorimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është akt mafioz ndaj drejtësisë dhe një praktikë e tillë do krijonte një precedent të rrezikshëm që do minonte parimet e shtetit ligjor.
Tv Klan