Kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli ka qenë në qytetin e Peqinit ku gjatë një takimi me qytetare dhe simpatizantë të Partisë Demokratike deklaroi se Qeveria e djathtë ka mbajtur premtimet, ndryshe nga sa pretendon lidershipi i Selisë Rozë. E në këtë frymë, zonja Topalli tha gjithashtu se kjo qeveri do të vazhdojë të rrisë investimet, pagat e pensionet si dhe ndihmën sociale për çdo familje në nevojë.

Jozefina Topalli: “Që kur Edi Rama ka qenë në Peqin i ka thënë qytetarëve të tyre që ndihma sociale dh ndihma e shtetit që jepet është parazitare dhe unë do e heq atë. I them sot nga Peqini, ne do të rrisim ndihmën për çdo qytetar që ka nevojë. Para pak ditësh Edi Rama tha që ju nuk guxoni të rrisni më rrogat dhe pensione, i them nga Peqini do vazhdojmë t’i rrisim.”

Duke përmendur faktin se në këto katër vite investimet e qeverisë në Peqin kanë qenë rreth 1.3 miliard lekë, zonja Topalli tha se në katër vitet e ardhshme këto investime do të trefishohen. Topalli tha gjithashtu se ndryshe nga pak vite më parë kur Shqipëria zinte vendet e para për korrupsionin dhe krimin e organizuar, sot është kthyer në një vend me rritje të qëndrueshme ekonomike si asnjë vend tjetër në Evropë.

Jozefina Topalli: “Unë gjej një Peqin ku janë investuar jo pak, por 1.4 miliard lekë. Se vetëm në këto 4 vite në Peqin janë investuar 15 herë më shuam nga ç’janë investuar gjatë periudhës 8 vjeçare të pjesës tjetër.”

Në fund kryetarja e kuvendit ka deklaruar se në mandatin e dytë të qeverisë Berisha do të realizohen investime dhe vepra të tjera të mëdha./tvklan.al