Mbarimi i programit 3-vjeçar të Fondit Monetar Ndërkombëtar në ekonominë shqiptare, ka hapur debate mes ekspertëve të fushës dhe jo vetëm tyre. Një ditë më parë shefja e përhershme e misionit të FMN-së në Shqipëri, u shpreh hapur, për të vijuar bashkëpunimin me qeverinë shqiptare.

Për ish ministrin e Financave zotin Anastas Angjeli, në kushtet e një krize globale financiare dhe për më tepër në një vit elektoral qeveria duhet të shpreh hapur qëndrim e saj për këtë çështje.

Anastas Angjeli: “Fondi Monetar  ka qenë dhe mbetet një semafor për Shqipërinë, për bashkëpunimin e qeverisë shqiptare me institucionet e tjera dhe donatorët dhe investitorët e huaj veçanërisht me bankën botërore. Mbasi mënyra e raportimit dhe e vlerësimit të situatës makroekonomike nga Fondi Monetar është si të thuash një certifikim që i bëhet sidomos vendeve në tranzicion. Ajo çka është tragjedi është mosshprehja ose mos mbajtja e një qëndrimi të qeverisë për vazhdimin e programeve të tjera me Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat janë të domosdoshme ende në ekonominë shqiptare.”

Ndërsa zëvendës ministri i Financave Sherefedin Shehu gjatë një interviste për televizionin Klan shpreh se FMN edhe pas mbarimit të programit aktual do të vijojë të jetë prezente në Shqipëri.

Sherefedin Shehu: “Fondit Monetar Ndërkombëtar do të vazhdojë monitorimin, së pari në kuadër të artikullit të katërt të statutit i cili përcakton vazhdimin ose mbikëqyrjen e përhershme mbi Fondit Monetar mbi politikat monetare dhe rezervat valutore të secilit vend. Përveç kësaj Shqipëria ka dhe një specifikë tjetër sepse Shqipëria ka një marrëveshje me Bashkimin Evropian që është një marrëveshje e stabilizim asocimit dhe në kuadrin e kësaj marrëveshje ne monitorohemi dhe nga Brukseli dhe Brukseli ka kushte më të forta.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro